WSJ: Kreu i Komandës Qendrore i paraqiti personalisht Trumpit opsione për sulm ndaj Iranit

Admirali Brad Cooper, Komandant i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM), i paraqiti Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, të enjten, operacione të mundshme ushtarake kundër Iranit, raporton “The Wall Street Journal”.

Në takim morën pjesë gjithashtu Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjenerali Dan Caine, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit.

Kështu raporton gazeta, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe individë të tjerë në dijeni të diskutimeve. Përveç Iranit, u trajtuan edhe tema të tjera.

Cooper rrallëherë e informon Trumpin personalisht. Herën e fundit që u takuan ishte në korrik, në bordin e avionit “Air Force One”, pas një ceremonie nderimi për ushtarakët e rënë në Bazën Ajrore Dover.

Hegseth dhe Caine ishin të pranishëm edhe në atë rast. Pentagoni dhe CENTCOM nuk pranuan të komentojnë mbi diskutimet e fundit.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë u parapri nga një takim të mërkurën midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe Zëvendëspresidentit JD Vance. Sipas “The Wall Street Journal”, të dy takimet janë pjesë e shqyrtimit nga ana e administratës lidhur me rifillimin e operacioneve kundër Teheranit.

Njëkohësisht, Vance është përfshirë në kontakte diplomatike me një përfaqësues të vijës së ashpër iraniane, ndërsa Uashingtoni shqyrton mundësinë e rinisjes së negociatave për paqe. Trump ende nuk ka njoftuar publikisht një vendim përfundimtar nëse do të rifillojnë sulmet në shkallë të gjerë.

Sipas “The Wall Street Journal”, zyrtarë amerikanë kishin paralajmëruar më parë disa qeveri arabe të Gjirit që të përgatiteshin për një operacion të shkurtër dhe intensiv pas zgjedhjeve të Kongresit më 3 nëntor. Se rifillimi i operacioneve ushtarake po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, e konfirmoi vetë Trump javën e kaluar gjatë një tubimi, ku deklaroi: “Ndoshta do të kryejmë një tjetër ‘Epic Fury’ të vogël. Ose ndoshta ata do të bien dakord.” Me këtë, ai iu referua bombardimeve amerikano-izraelite ndaj Iranit që ndodhën më herët gjatë këtij viti.

Gjatë javëve të fundit, ushtria amerikane ka forcuar praninë e saj në Lindjen e Mesme. Pentagoni ka dislokuar pajisje shtesë të mbrojtjes ajrore, municione dhe furnizime. Një pjesë e personelit është zhvendosur nga baza që konsiderohen të cenueshme ndaj një hakmarrjeje të mundshme iraniane.

Ushtria amerikane po dërgon në Izrael një bateri shtesë të sistemit të mbrojtjes ajrore dhe raketore “Patriot”. Njëkohësisht, ekziston shqetësim lidhur me mungesën e raketave përgjuese – një boshllëk që SHBA-ja po përpiqet ta plotësojë.

Irani ka paralajmëruar – si publikisht, ashtu edhe përmes kanaleve diplomatike – se çdo sulm i ri amerikan do të shkaktonte kundërpërgjigje ndaj një sërë objektivash në rajon, përfshirë objektet ushtarake amerikane dhe asetet që u përkasin vendeve të Gjirit. Sipas Wall Street Journal, Teherani ka rifilluar prodhimin e raketave balistike duke përdorur komponentë të ruajtur në objekte nëntokësore. Për më tepër, janë intensifikuar përpjekjet iraniane për të vënë në shënjestër personelin amerikan në rajon.

Planet e administratës kanë hasur në kritika nga disa anëtarë të Kongresit. Mes tyre është senatori demokrat Chris Murphy, i cili i cilësoi operacionet e mundshme si “të çmendura” dhe paralajmëroi për një përshkallëzim shkatërrues.