Azem Syla rreshtohet krah Altin Krasniqit, veteranët e UÇK-së i japin mbështetje të fuqishme

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Altin Krasniqi, ka zhvilluar një takim me veteranë të UÇK-së dhe aktivistë të PDK-së në Komoran, ku ka marrë mbështetje për angazhimin e tij politik.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Azem Syla, të cilin Krasniqi e cilësoi si mik të familjes së tij dhe të babait të tij.

Reklame

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi tha se mbështetja e marrë në Komoran përbën një motiv shtesë për rrugëtimin e tij politik dhe për angazhimin në kuadër të PDK-së.

“Në Komoran, bashkë me bacin Azem, ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, njëherësh mik të babait tim dhe të familjes sonë, si dhe në mesin e veteranëve të UÇK-së dhe aktivistëve të PDK-së, mora mbështetje të fuqishme për angazhimin tim politik. Së bashku do të punojmë me përkushtim për të arritur fitoren dhe për ta forcuar edhe më tej Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve elektorale të PDK-së, ndërsa Krasniqi vlerësoi rolin dhe kontributin e veteranëve të UÇK-së në mbështetjen e proceseve politike dhe shtetformuese në Kosovë.

By admin