Një ngjarje e rëndë ka tronditur të mërkurën qytetin e Birr-it në kantonin Aargau të Zvicrës, ku një grua 36-vjeçare humbi jetën pasi u sulmua me thikë brenda banesës së saj. Policia ka arrestuar bashkëshortin e saj 44-vjeçar, i cili dyshohet si autori i krimit.
Sipas autoriteteve, alarmi u dha rreth orës 14:00 nga një fëmijë, telefonata e të cilit ngriti dyshime për një situatë të rëndë brenda familjes. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në apartamentin e familjes në zonën rezidenciale Wyde, gjetën gruan të plagosur rëndë nga goditjet me thikë dhe në gjendje të pavetëdijshme.
Pavarësisht përpjekjeve të policëve dhe paramedikëve për ta rikthyer në jetë, ajo nuk mundi të shpëtojë. Policia kantonale konfirmoi se viktima ishte një shtetase filipinase 36-vjeçare, e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Bashkëshorti i saj, një shtetas zviceran 44-vjeçar, u arrestua në banesën e përbashkët pa bërë rezistencë. Ai ndodhet në paraburgim dhe konsiderohet i dyshuari kryesor për vrasjen.

Sipas zëdhënësit të Policisë Kantonale të Aargau-t, Bernhard Graser, elementi më tragjik i kësaj ngjarjeje është fakti se dy fëmijët e mitur të çiftit dyshohet se kanë qenë dëshmitarë të krimit. Për ta është angazhuar një ekip i specializuar psikologjik për t’u ofruar mbështetje.
Motivet dhe rrethanat e sakta të vrasjes mbeten ende të paqarta. Zyra e Prokurorit Publik të Brugg-Zurzach ka hapur hetim penal, ndërsa në vendngjarje kanë punuar specialistë të hetimeve kriminale, policia kantonale dhe ekspertë të mjekësisë ligjore.
Ngjarja ka tronditur edhe banorët e zonës. Një fqinjë deklaroi për mediat lokale se ishte kthyer nga pazari kur kishte parë operacionin e madh policor. “Është jashtëzakonisht e trishtueshme. Si mund ta bëjë dikush një gjë të tillë, e aq më tepër para fëmijëve të vet?”, tha ajo.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.


