Qalaj: PDK-ja mbetet në opozitë, vendimi për presidentin do të merret në organet e partisë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka deklaruar se qëndrimi i partisë vazhdon të jetë ai i të vepruarit në opozitë.

Qalaj, në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se nuk kanë ndonjë ndryshim rreth qëndrimeve për çështjen e presidentit.

“Nuk është çështja e të lëshuarit pe, ne jemi deklaruar se do të qëndrojmë në opozitë dhe do të veprojmë si parti opozitare, ky është qëndrim i kryetarit të partisë, ky është qëndrim i kryesisë së partisë dhe mendoj që ky qëndrim duhet të qëndrojë ende”, tha Qalaj.

I pyetur se a do të qëndrojë PDK-ja, në sallë në rast se propozohet për president/e ndonjë emër nga LDK e Aleanca, Qalaj u shpreh se ky vendim merret në organet drejtuese të PDK-së.

“Për këtë qëllim duhet të mirren vendime në organet drejtuese të partisë, ende s’kemi qëndrim të tillë, besoj që me kohë do të njoftohet opinioni”, tha Qalaj

Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, Qalaj tha se ato janë të panevojshme dhe sipas tij sjellin edhe pasoja.

“Zgjedhjet përveç që janë të panevojshme janë të dëmshme, mirëpo shumë më e dëmshme është qeveria aktuale dhe kryeministri se si po qeveris me vendin”, tha ai.

By admin7