Një grua është viktimë e aksidentit në rrugën Mitrovicë-Prishtinë

Një grua e ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, konkretisht në fshatin Studime.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha.

Hoxha bëri të ditur se në këtë rast ishin të përfshirë dy automjete.

“Rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Studime, është shkaktuar një aksident trafiku ku janë përfshirë dy automjete. Aksidenti ka rezultuar me pasoja fatale, ku një femër raportohet se ka humbur jetën dhe disa persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore. Ekipet emergjente dhe zjarrfikësit kanë reaguar në vendin e ngjarjes, ndërsa policia po zhvillon hetime për të konstatuar shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar Hoxha për Klankosova.tv.
Ditëve të fundit ka pasur raportime për humbje jetësh në rrugët tona si pasojë e aksidenteve në trafik.

“Policia po punon me ekipet e saj për parandalimin e tyre dhe marrjen e masave operative. Kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve të jenë më të kujdesshëm, të respektojnë shenjat e trafikut dhe kushtet e rrugës. Mos përdorni telefonat gjatë vozitjes, pasi shpërqendrimi mund të jetë fatal si për ju, ashtu edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, deklaroi ai./ Klankosova.tv.

By admin7