Klevovski: Epidemia në Gostivar po qetësohet, fokusi është te hepatiti A dhe E

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klevovski, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se faza akute e epidemisë në Gostivar po qetësohet gradualisht, por autoritetet shëndetësore mbeten në gjendje të mbikëqyrjes së përforcuar për shkak të mundësisë së shfaqjes së sëmundjeve të reja ngjitëse.

Ai informoi se në katër ditët e fundit numri i ekzaminimeve të reja të para është lëvizur mes 80 dhe 125 në ditë, por për momentin nuk mund të përcaktohet saktësisht se sa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me epidemine dhe sa përfaqësojnë gjendjen e zakonshme shëndetësore.

„Në korrik, sipas të dhënave shumëvjeçare, mesatarja në Gostivar ka qenë rreth 25 njoftime për sëmundje ngjitëse, prandaj do të duhen analizat epidemiologjike për të treguar çfarë është pasojë e epidemisë dhe çfarë është shfaqje e rregullt“, tha Klevovski.

Sipas të dhënave të fundit, janë regjistruar 869 njoftime formale, ndërsa janë anketuar epidemiologjikisht 602 persona. Ministri apeloi sërish që qytetarët të bashkëpunojnë me shërbimet shëndetësore që situata të ndiqet me kujdes.

Në konsultim me Komisionein për sëmundje ngjitëse është vendosur të futet mbikëqyrje shëndetësore në fazën postakute të epidemisë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zbulimit në kohë të hepatitit A, hepatitit E dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse që mund të shfaqen pas përfundimit të epidemisë.

Klevovski njoftoi se Qendrës për Shëndet Publik, institucioneve shëndetësore dhe mjekëve familjarë do t’u dërgohen udhëzime për veprimet e mëtejshme, si dhe drejtime për informimin e popullatës.

Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë fillon një analizë më të detajuar të ecurisë së epidemisë, duke përdorur të dhënat nga sistemi zyrtar i njoftimit të sëmundjeve ngjitëse, si dhe të gjitha rastet e evidencuara me diagnoza të lidhura me enterokolitin dhe sëmundje të ngjashme që nga 1 qershori e tutje.

„Qëllimi është që në mënyrë objektive dhe të paanshme të përcaktohet se si është zhvilluar epidemia dhe si ka reaguar sistemi, pas së cilës publiku do të informohet në detaje“, deklaroi ministri.

By admin7