KF Shkëndija ka bërë të ditur se hyrja për ndeshjen e kthimit ndaj NK Bravo në kuadër të raundit të dytë eliminator të UEFA Conference League do të jetë falas për të gjithë tifozët.
Klubi tetovar ka ftuar mbështetësit dhe dashamirët e futbollit që të mbushin tribunat e stadiumit “Todor Proeski” në Shkup, ku të enjten pritet të luhet një sfidë vendimtare për kualifikimin në raundin e tretë të garave evropiane.
Për shkak të rëndësisë së ndeshjes dhe pranisë së mërgimtarëve në vendlindje gjatë kësaj periudhe, Shkëndija ka vendosur që tifozët të kenë qasje pa pagesë në tribunën jugore të stadiumit.
Ndeshja Shkëndija – Bravo zhvillohet të enjten, më 30 korrik, me fillim nga ora 20:00 në Shkup. Skuadra kuqezi synon përmbysjen pas humbjes minimale 2:1 në takimin e parë të zhvilluar në Slloveni.
Nga klubi besojnë se përkrahja e tifozëve do të jetë një faktor i rëndësishëm në tentimin për të siguruar kualifikimin dhe u kanë bërë thirrje të gjithë simpatizantëve që të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje evropiane.
“Të enjten luajmë të gjithë së bashku, drejt një tjetër suksesi europian”, është mesazhi i klubit për tifozët./Indeksonline/



